Alket Islami kush Fluturon Dashuron

S’E MBAJA DOT PER VETE SHQIPERINE NGA AJRI

Ai është njeriu që i dhuroi shqiptarëve një dimension të ri të Shqipërisë, duke paraqitur anën tjetër të saj, ashtu siç nuk e kishte parë asnjëherë askush. Deri para viteve ’90 ishim mësuar me pamjet e kartolinave standarte turistike, ku fjala vjen Pogradeci na paraqitej me bukuritë e Drilonit ku dy mjelma rrinin kokë më kokë, Thethi me natyrën e bukur, Gjirokastra e marrë nga rruga kryesore me shtëpitë e saj prej guri, Berati po ashtu, e Tirana me Skënderbeun e përjetshëm, apo shumë-shumë, ndonjë gjethe plepi në liqenin artificial. Në fillim të viteve ’90 (diku rreth vitit të largët 1993), dikush vendosi të hipte mbi majën e Llogorasë, dhe të hidhej që aty me parashutë. Aventura ishte spektakolare, shumë njerëz e paragjykuan.  Por fluturuesi e kishte ndarë mendjen të hidhej, madje edhe pasi u hodh, u kthye përsëri e përsëri.

Foto Alket Islami

Me kostimin e zi emblematik, shallin e përhershëm në kokë ku spikat stema e “Nike”, syzet që nuk i heq kurrë përveçse në mjedise të errëta, ai është bërë simboli i njeriut të lirë, që i sheh gjërat në këndvështrim tjetër. Sot, pas 18 vjetësh, qyshse fluturoi për herë të parë në Llogora, “background-i” i tij profesional, është shumë i pasur. Fotot e tij nga ajri kanë vite qe bëjnë xhiron e botës në internet duke lundruar nga një cep i saj në tjetrin, sot janë fjala e parë e Facebook-ut. Në dhjetëra apo qindra profile e faqe që prezantojnë Shqipërinë, hedhur nga njerëz të ndryshëm, më shumë se shtatëdhjetë për qind e fotove që ekspozohen janë punë e Alketit.

Turizmi shqiptar u bë shumë vjet që publikon në materialet e tij turistike fotografitë e shumta nga ajri të Alketit, të cilat kanë shërbyer për të zbuluar edhe bukuritë natyrore, edhe ato historike e arkeologjike. Përveç bashkëpunimeve të shumta, Alketi ka publikuar edhe dy albume të mrekullueshëm, Albania From the Air 1 dhe 2, që mund të quhen pa frikë, pasaporta e turizmit shqiptar nëpër botë. Ashtu si dhe fotot, edhe këto albume kanë bërë xhiron e botës, duke shkuar deri në Amerikë apo në Japoninë e largët. Por pasioni i tij nuk është thjesht fotografia. Ai adhuron fluturimin, i cili i dha edhe mundësinë të fotografojë. Këtë pasion ia ka “vjedhur” edhe djali i tij i vogël Xhonatani. Pasioni për fluturimin e çoi drejt themelimit të shoqatës Aeronautika Shqiptare. Sot kampionati ndërkombëtar, organizuar nga ASH, mbledh pilotë dhe fluturues nga e gjithë bota, ndan çmime prestigjoze dhe ka hyrë në kalendarin e festave turstike zyrtare të Bashkisë së Vlorës, duke tentuar ta shtrijë gamën në të gjitha rrethet e Shqipërisë nga ku mund të fluturohet.

Alket, ti je njeriu i parë që u ke treguar shqiptarëve një anë tjetër të Shqipërisë, që nuk e kishin shijuar më parë. Si të bën të ndihesh ky fakt?

Normal që më bën të ndihem mirë, por ju duhet të pyesni më mirë shqiptarët se si i bën ata të ndihen ajo që kanë parë në fotot e mia.

U bënë shumë vite tashmë që fotografon nga qielli i Shqipërisë. Sa vite?

Shtatëmbëdhjetë. Në vitin ‘94 kam shkrepur foton time të parë, me një aparat të vogël me film. E kam atë foto në arkivë, po më duhet të kthej studion përmbys prej materialeve të shumta. Një ditë, kur të mos fotografoj dot më, do ta botoj në ndonjë nga albumet e mia.

Ku e ke shkrepur foton e parë?

Në Llogora.

Po foton e fundit?

Në Llogora, para ca ditësh, gjatë fluturimeve dyshe që orgaizojmë atje.

Duket se je i dashururar me Llogoranë. Pse e do kaq shumë këtë vend?

Për shumë gjëra. Për pamjen e mrekullueshme që ofron, (megjithëse tani pamja e Vlorës është prishur nga ndërtimet), për pozicionin unik që ka jo vetëm brenda Shqipërisë, për erën e favorshme që ndihmon fluturimin, për shumë gjëra. Pastaj, në Llogora kam fluturuar për herë të parë, diku në vitin ’93.

Ti ke filluar të bësh foto në ajër, rreth një vit pasi kishe nisur të fluturoje. Pse fillove të fotografosh?

Po, sepse pamjet që shikoja ishin aq të bukura, saqë më vinte “gjynah” t’i mbaja vetëm për vete ato emocione të mëdha që provoja kur i shijoja ato pamje. Thashë, pse të mos i shonin edhe të tjerët?

Po të tjerët, si e pritën këtë që po bëje? Ishte një gjë e re, e panjohur, apo jo?

Po, normale. Shumica e atyre që më takonin ose që u thosha se çfarë po bëja, me thanë se po e shkoja kohën kot.

Po ti, si mendon sot, a e ke shkuar kohën kot?

Absolutisht jo. Gjithë kjo përvojë, më shërbeu për të themeluar Aeronautikën Shqiptare. Sot aktiviteti zhvillohet në rang ndërkombëtar, marrin pjesë me shumë interes pilotë nga e gjithë bota dhe kur fitojnë çmimet, i konsiderojnë të rëndëishëm në karrierën e tyre.

Sot, ti je instruktor dhe mëson të fluturojnë “zogjtë e vegjël” që duan të fluturojnë edhe ata në mënyrë profesionale. Pse vijnë ata? U duket interesante, mendojnë se është një profesion me interes për të ardhmen apo thjesht sepse e kanë pasion?

Në fillim i shtyn kureshtja, pastaj kur e provojnë njëherë, u pëlqen dhe në fund vendosin të ushtrohen

Ka shumë njerëz që duan të fluturojnë?

Shumë. Prandaj i hapëm kurset e fluturimeve dyshe. Nuk mjaftonte vetem dhjetëditëshi i “Albania Open”, në maj. Kishte kaq shumë njerëz që donin të shihnin qiellin, edhe pa qenë profesionistë.

Sa kushton një fluturim për një amator?

5000 lekë të reja.

Aktiviteti që ti zhvillon sot, ka ndonjë lidhje me atë që ti ke qenë dikur?

Nuk e di ta them këtë. Unë kam mbaruar institutin e fiskulturës dhe pas 90-ës, u mora me këtë që merrem tani. Aktualisht po bëj një fakultet të dytë për gjeografi.

Pse po vazhdon akoma një shkollë? A nuk mendon se e njeh mjaftueshëm gjeografinë e Shqipërisë?

E njoh nga lart, nga larg, kam bredhur me këmbë, kam shëtitur edhe shpellat, por dua ta njoh tokën e Shqipërisë edhe shkencërisht, më tërheq shumë.

“Albania from the Air” 1 dhe 2 janë aktualisht guidat turistike më të shitura në tregun shqiptar, që blihen kryesisht nga të huajt dhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë, të cilët e blejnë për suvenir, ose për t’u treguar miqve të tyre të huaj se sa e bukur është Shqipëria. Cili album i radhës do ta shohë dritën e botimit, “Albania 3”?

Po punoj paralelisht edhe për treshin por edhe për albumin e arkeologjisë. Besoj se arkeologjia do të dalë e para.

Kush është momenti më i bukur i ditës për të nxjerrë foto të mira?

Kryesisht mëngjesi herët, kur ajri është i kthjellët, e deri diku tek ora 11. Por kjo varet edhe se çfarë kërkon të evidentosh në një foto.

A ndjehesh i konkuruar nga helikopterët?

Helikopterët? Hiç fare. E di si është një punë? Unë kur fluturoj, jam aq i dhënë pas fluturimit, saqë aparati “bindet butë” në dorën time për të nxjerrë atë që dua unë. Jam aq i apasionuar pas asaj që bëj, saqë nuk mendoj asgjë tjetër. Pastaj, të fluturosh me parashutë, ti ndjen fishkëllimën e erës pas veshit, zhurmat e zogjve, aromën marramendëse të pishave apo të barit të korrur, ajrin e freskët që të mbush mushkëritë, gjëra që xhami i helikopterit nuk t’i lejon t’i ndjesh. Kështu që nuk krahasohet dot.

Cili nga djemtë e tu ka dëshirë të fluturojë?

I vogli, Xhoni. Kurse i madhi nuk do t’ia dijë fare për fluturimin, vazhdon stomatologji.

A keni fluturuar ndonjëherë bashkë?

Po shumë herë. Tani u bë kohë që ai fluturon edhe vetëm sepse ia ka marrë shumë mirë dorën.

Po jashtë Shqipërisë a ke fluturuar ndonjëherë?

Në fillimet e mia po. Fluturoja drejt Kosovës, Maqedonisë, por pastaj fillova aktivitetin e instruktazhit dhe nuk kisha më kohë. Tani qyshkurse Shqipëria është në FIA(Federata Internacionale e Aeronautikës), organizojmë kampionatin këtu, bashkë me Kosovën dhe të huajt vijnë tek ne. Ky është i vetmi kampionat që i prezanton të dy shtetet bashkë.

Nëse nuk do të kishe bërë këtë që bën sot, me çfarë do të ishe marrë?

Nuk e di, ndoshta do të kisha hapur ndonjë agjenci turistike,

Pse nuk e hap?

Se nuk kam njerëz, nuk kam dhe kohë t’i gjej. Të merresh me turizmin duhet shumë passion, dhe do kohë të gjesh njerëz të pasionuar. Unë kohë s’kam, kështu që…

Çfarë bën Alketi kur nuk fluturon?

Merrem me anët burokratike të gjithë punës, gjetjen e sponsorëve për albumet etj. Në plan ka hyrë edhe “Kosova From the Air” dhe jam akoma edhe më i zënë.

Sa kohë shpenzon në FB?

Jo shumë, nëse do të matej si kohëzgjatje, por e kontrolloj herë pas here nëpërjet Iphone.

E sheh veten si pjesë të imazhit turistik të Shqipërisë? Ose ta formulojmë ndryshe pyetjen: mendon se puna jote ka ndikuar pozitivisht në njohjen e Shpërisë nga të huajt?

Patjetër. Po të kontribuosh me produkte marketingu, do të bëhesh vetvetiu pjesë e imazhit turistik. Psh një histori të shkurtër, për t’ju thënë se sa konkret dhe i shpejtë është ndikimi tek disa situata. I dërgoj guidën një shokut tim që jeton jashtë dhe ai e merr me vete në pushimet që bëri në Egjipt. Duke shfletuar guidën në autobus ata burrë grua, shihnin e komentonin fotot italisht e shqip bashkë, njëra pas tjetrës. Pas tyre ishte një çift italian, që po i shihnin edhe ata fotot. E kur e morën në dorë albumin, i pëlqyen aq shumë, saqë i ndërprenë pushimet në Egjipt dhe erdhën të shihnin Shqipërinë me këta miqtë e mi. Edhe ju që bëni guida, edhe agjencitë që bëjnë ture, edhe kjo revistë, janë pjesë e marketingut të Shqipërisë. Unë e kam pak më të thjeshtë se ju në përpunimin e imazhit pasi ofroj vetëm foto dhe info të përgjithshme, kurse ju ofroni edhe informacion praktik, kështu që jeni pak më të rrezikuar. Ju psh nuk keni garanci se një hotel që ju keni publikuar në guidë i shërben apo jo mirë turstit. Kurse unë atë që ofroj, e kam të sigurt se është aty, diku nëpër Shqipëri.

Deri kur do të vazhdosh të fluturosh?

Derisa të më mbajnë këmbët, dhe kur të mos më duhet të shpenzoj nga portofoli im për mirëmbajtjen e shëndetit.

Cila është diviza jote e jetës?

Kush fluturon, dashuron.

WRITTEN BY FLORA XHEMANI http://www.albaniantravel.info

No comments yet.

Shkruaj nje koment

error: Content is protected !!